Hapen aplikimet për kompensimin e arsimit, procedura dhe dokumentet që duhen dorëzuar
Administrata Tatimore ka hapur zyrtarisht aplikimet për përfitimin e kompensimit për shpenzimet arsimore të fëmijëve, për individët që pas plotësimit të DIVA 2025 rezultojnë me tatim të mbipaguar.

Kush përfiton nga kompensimi
Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë individët që kanë plotësuar Deklaratën Individuale të të Ardhurave (DIVA 2025) dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar, pas zbritjes së shpenzimeve fikse për fëmijët në ngarkim, në vlerë 48 mijë lekë në vit ose 100 mijë lekë në vit, në varësi të nivelit të të ardhurave.
Administrata Tatimore sqaron se aplikimi kryhet vetëm online përmes sistemit e-Filing, ndërsa shuma e kompensimit do të transferohet drejtpërdrejt në llogarinë bankare të deklaruar nga individi përfitues.
Si bëhet aplikimi në e-Filing
Pas hyrjes në sistemin e-Tax, individi duhet të krijojë një çështje të re për rimbursim duke ndjekur këto hapa. Fillimisht klikohet moduli “eFiling Im”, më pas përzgjidhet rubrika “Çështjet e mia”. Në vijim, te “Lloji i Çështjes” zgjidhet opsioni “Pyetje të Përgjithshme”, për të hapur një çështje të re.
Sistemi do të shfaqë automatikisht numrin identifikues të DIVA-s së plotësuar, si dhe një formular bosh, ku duhet të shkruhet kërkesa për rimbursimin e tatimit të mbipaguar, sipas shumës së reflektuar në DIVA 2025.
Për shembull, kërkesa mund të formulohet: “Kërkoj të më rimbursohet nëpërmjet llogarisë bankare shuma e tatimit të mbipaguar me vlerë 6,240 lekë, pas plotësimit të DIVA 2025”.
Dokumentet që duhen bashkëngjitur
Së bashku me kërkesën për rimbursim, aplikuesi duhet të ngarkojë në format PDF dokumentacionin përkatës. Kjo përfshin dokumentin me të dhënat e llogarisë bankare personale (IBAN), certifikatën familjare si dhe dokumentacionin që vërteton shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve.
Si dokumente justifikuese pranohen kontratat me institucionet arsimore, faturat e pagesës për shkollimin, si dhe faturat për kurse gjuhësh të huaja apo shërbime të tjera arsimore të lidhura drejtpërdrejt me fëmijët.
Administrata Tatimore ka bërë të ditur se pritet të publikojë edhe një video udhëzuese për të sqaruar hap pas hapi të gjithë procedurën e aplikimit.
Sa është vlera e kompensimit
Shuma e kompensimit ndryshon në varësi të nivelit të të ardhurave vjetore dhe numrit të fëmijëve në ngarkim. Për individët me të ardhura bruto mbi 1.2 milionë lekë në vit dhe me një fëmijë në ngarkim, kompensimi për arsimin llogaritet rreth 62 euro në vit.
Në rastin e individëve me të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit dhe dy fëmijë nën 18 vjeç, pas zbritjes së shpenzimeve prej 96 mijë lekësh, tatimi i mbipaguar arrin në rreth 12 mijë lekë.
Për individët që paguhen mbi 200 mijë lekë në muaj dhe i nënshtrohen tatimit 23%, kompensimi për arsimin është rreth 11,040 lekë për fëmijë. Shuma maksimale e kompensimit përfitohet nga individët me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit, të cilët përfitojnë edhe zbritjen maksimale prej 100 mijë lekësh për shpenzime arsimore. Për këtë kategori, kompensimi arrin deri në 250 euro.
Afatet për deklarim dhe aplikim
Sistemi për plotësimin e DIVA 2025 është hapur më 22 janar dhe afati për dorëzimin e deklaratës përfundon më 31 mars. Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi e-Tax pas deklarimit të të ardhurave.
Individët që rezultojnë me tatim të mbipaguar kanë afat deri në tre muaj pas plotësimit të DIVA-s për të dorëzuar kërkesën për aplikim dhe për të përfituar kompensimin në llogarinë e tyre bankare.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






